Paketa Fiskale 2027, deputetja demokrate, Jorida Tabaku ngre shqetësimin se ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë dhe propozimi për rritjen e normës standarde në 21% do të rëndojnë bizneset e vogla e profesionistët e lirë.
Tabaku paralajmëron pasoja për investimet, çmimet dhe familjet që sigurojnë jetesën nga këto aktivitete.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se pas çdo biznesi të vogël qëndrojnë familje që kanë investuar kursimet e tyre dhe punojnë çdo ditë për të siguruar të ardhurat.
Biznesi i vogël mban familje. Qeveria i shton barrën. Pas çdo dyqani, punishteje apo zyre është dikush që punon për të çuar të ardhura në shtëpi.
Janë kursime të investuara, orë të gjata pune dhe shqetësimi nëse do t’ia dalin në fund të muajit. Paketa Fiskale 2027, me uljen e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë dhe propozimin për normën standarde 21%, shton presionin mbi biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë.
Më pak hapësirë për të investuar. Më shumë presion për të rritur çmimet. Më shumë pasiguri për familjet që jetojnë nga kjo punë. Shteti duhet t’u qëndrojë në krah njerëzve të punës. Përse u bie vazhdimisht në qafë?

