-Foto ilustrim-
Dy gra janë arrestuar të martën, më 29 shtator, në Vranjë dhe Jagodinë, nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit, raportojnë mediat në Serbi.
Sipas agjencisë së lajmeve Tanjug, në Vranjë është arrestuar D.C. (46) nga Shillova e komunës së Gjilanit, ndërsa në Jagodinë është arrestuar N.P. (50) nga ky qytet.
Aksioni është zhvilluar bashkërisht nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA), Prokuroria e Lartë Publike në Jagodinë dhe policia e Vranjës dhe Jagodinës.
Sipas Tanjug, ndaj dy të arrestuarave rëndon dyshimi për veprën penale të spiunazhit nga neni 315, paragrafët 1 dhe 3 të Kodit Penal të Serbisë.
Autoritetet serbe dyshojnë se ato i kanë përcjellë Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH), Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe njësisë së inteligjencës së Policisë së Kosovës, të dhëna për pjesëtarë aktivë të BIA-s dhe angazhimin e tyre.
Gazeta Politika shkruan se bëhet fjalë për të dhëna që lidhen me identitetin dhe aktivitetet e pjesëtarëve të shërbimit serb të sigurisë. Sipas këtij mediumi, hetimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë vëllimin e informacioneve, periudhën dhe mënyrën se si ato dyshohet se janë mbledhur dhe përcjellë, si dhe kontaktet eventuale të të dyshuarave me shërbimet e inteligjencës.
Ndërkohë, me urdhër të gjykatës është kontrolluar objekti që përdorte N.P. në Jagodinë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar sende dhe pajisje elektronike, për të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje me veprën penale.
Deri më tani nuk janë publikuar emrat e plotë të të arrestuarave dhe as prova konkrete mbi bazën e të cilave janë ngritur dyshimet. Pretendimet për spiunazh janë pjesë e hetimit dhe nuk janë të vërtetuara me një vendim gjyqësor./LUGINALAJMI/

