Çiftet e reja bashkëshortore në Maqedoninë e Veriut mund të kenë mundësi të blejnë banesa në ndërtesat e reja me çmime dukshëm më të ulëta se ato aktuale, falë masës së paralajmëruar nga Qeveria.
Nëse ulja prej 20 për qind llogaritet mbi çmimet mesatare të publikuara nga Kadastra për tremujorin e tretë të vitit 2026, çmimet e banesave në komunat e Shkupit do të dukeshin kështu:
Komuna Çmimi aktual për m² Me ulje 20%
Qendër 1.992 € 1.594 €
Karposh 1.498 € 1.198 €
Kisella Vodë 1.389 € 1.111 €
Gazi Babë 1.299 € 1.039 €
Aerodrom 1.192 € 954 €
Sipas kësaj përllogaritjeje, një banesë prej 60 metrash katrorë në Aerodrom do të kushtonte rreth 57.200 euro, në Gazi Babë 62.400 euro, në Kisella Vodë 66.700 euro, në Karposh 71.900 euro, ndërsa në Qendër 95.600 euro.
Qeveria ka paralajmëruar se përmes një ligji të posaçëm do t’i obligojë investitorët që të paktën 10 për qind të sipërfaqes së banimit në ndërtesat e reja ta rezervojnë për çiftet e reja bashkëshortore.
Çmimi i këtyre banesave duhet të jetë të paktën 20 për qind më i ulët se çmimi mesatar në komunën përkatëse kadastrale gjatë vitit paraprak.
Sipas sqarimit të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, nga kjo masë do të mund të përfitojnë edhe çiftet ku vetëm njëri prej bashkëshortëve është deri në moshën 35-vjeçare.
Ligji pritet të prezantohet në dhjetor, ndërsa zbatimi i tij të fillojë gjatë vitit 2027.
Çmimet e paraqitura janë përllogaritje orientuese dhe jo çmime përfundimtare të garantuara nga ligji.

