Pavarësisht dallimeve dhe përplasjeve politike ndër vite, subjektet shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës janë bërë bashkë në Prishtinë, me synimin që të garojnë të bashkuara për përfaqësim në Kuvendin e Serbisë në Beograd.
Marrëveshja për listën e përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, është arritur pas bisedimeve të zhvilluara me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në marrëveshje janë përfshirë subjektet e drejtuara nga Shaip Kamberi (PVD), Visar Memeti (APN), Nagip Arifi (PD), Agim Sabedini (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Sami Salihu (LR), Armend Aliu (AL) dhe Naser Aziri (UDSH).
Kurti kishte zhvilluar edhe më 15 shtator një takim me shumicën e këtyre përfaqësuesve, ku ishte diskutuar nevoja për koordinim politik dhe forcimin e përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Sipas njoftimit të Kurtit për marrëveshjen e arritur sonte, pas bisedave dhe përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve, partitë kanë marrë përsipër zotimin për bashkëpunim dhe dalje me një listë të vetme në zgjedhjet e 25 tetorit.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe përfaqësues të tjerë nga Lugina.
Marrëveshja vjen në një periudhë kur raportet ndërmjet disa prej subjekteve shqiptare, sidomos në nivelin lokal, vazhdojnë të karakterizohen nga dallime politike. Megjithatë, për zgjedhjet parlamentare ato kanë vendosur t’i lënë këto dallime mënjanë dhe të garojnë së bashku.
Kështu, partitë shqiptare të Luginës, të ndara në Preshevë e Bujanoc, u bashkuan sonte në Prishtinë me synimin që më 25 tetor të arrijnë së bashku në Beograd – përmes përfaqësimit në Kuvendin e Serbisë./LUGINALAJMI/

